edukimi_në_dhembshuri.jpg

ZEKATI DHE SADAKATUL-FITRI

Zekati dhe sadakatul-fitri janë ndër obligimet më të rëndësishme në Islam…

وَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ ۚ وَمَا تُقَدِّمُوا لِأَنفُسِكُم مِّنْ خَيْرٍ تَجِدُوهُ عِندَ اللَّهِ ۗ إِنَّ اللَّهَ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

قال ﷺ: …الصدقةُ تُطفِئُ الخطيئةَ كما يُطفِئُ الماءُ النارَ

Të nderuar muslimanë!

Pasuria jonë, prona jonë dhe të gjitha mundësitë që posedojmë janë amanete që na janë dhënë nga Allahu i Madhëruar. Përmbushja e falënderimit për këto amanete bëhet e mundur duke i ndarë ato me nevojtarët, me jetimët, me të varfrit dhe me ata që nuk kanë askënd që të kujdeset për ta. Në të vërtetë, forma e këtij ndërgjegjësimi për amanetin që është shndërruar në adhurim është zekati dhe sadakatul-fitri.

Të dashur besimtarë!

Zekati është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit. Zekati nuk është thjesht një dhurim; përkundrazi, ai është një adhurim i caktuar drejtpërdrejt nga Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij. Ai është një begati hyjnore që nuk e pakëson pasurinë e njeriut, por e shton atë me begati dhe bereqet.¹ Siç thuhet në ajetin kuranor:
“Në pasurinë e tyre kishte një pjesë të caktuar për lypësin dhe të varfrin,”²
zekati nuk është një mirësi që e vë të varfrin në pozitë detyrimi, por është përmbushja e një të drejte që i takon atij.

Të nderuar muslimanë!

Zekati ndërton ura ndihme dhe solidariteti, mëshire dhe dhembshurie ndërmjet besimtarëve. Ai bëhet shkak për forcimin edhe më shumë të unitetit dhe bashkimit. Ai mundëson që fryma e vëllazërisë të ndihet në zemra, në familje dhe në sofrat e njerëzve. Në këtë drejtim, zekati jep një kontribut të madh në paqen shoqërore, qetësinë dhe solidaritetin.

Dhënia e zekatit e pastron njeriun nga egoizmi, zilia dhe koprracia. Zekati e ndihmon njeriun të frenojë dashurinë për pasurinë dhe lakminë e kësaj bote në zemër dhe e ndihmon të pastrohet nga mëkatet. Siç ka thënë i dashuri ynë, Profeti Muhamed (s.a.s.):“…Zekati i shuan mëkatet ashtu si uji e shuan zjarrin.”³

Të nderuar besimtarë!

Sa i përket sadakatul-fitrit, që zakonisht e njohim si fitër, ai është shprehje falënderimi për arritjen e muajit të bekuar të Ramazanit dhe për arritjen e ditës së Bajramit. Profeti ynë (s.a.v.s) ka urdhëruar që sadakatul-fitri të jepet tek nevojtarët para faljes së namazit të Bajramit.⁴ Nëpërmjet sadakatul-fitrit, Fitër Bajrami shndërrohet në një kohë të veçantë në të cilën mëshira dhe dashuria, gëzimi dhe lumturia përhapen në të gjithë shoqërinë.

Të nderuar muslimanë!

Në dhënien e zekatit dhe sadakatul-fitrit, parimi themelor është që njeriu fillimisht të kujdeset për të afërmit dhe fqinjët nevojtarë në rrethin e tij. Më pas, këto vepra bamirësie duhet të shtrihen edhe tek vëllezërit dhe motrat që jetojnë në vende të shtypura dhe në vështirësi. Sot, ajo që na takon neve është që ta shfrytëzojmë Ramazanin e bekuar duke sjellë gëzim në sofrën e një të varfri përmes zekatit dhe fitrit tonë. Duhet që t’ia lehtësojmë barrën borxhliut, t’i zgjasim dorën udhëtarit të mbetur në rrugë dhe të sjellim buzëqeshje në fytyrën e jetimit, të atij pa baba dhe të vetmuarit. Duhet që të vazhdojmë të qëndrojmë pranë të shtypurve dhe të mbetemi burim shprese për ta. Kështu, është që begatitë që na ka dhënë Allahu i Madhëruar t’i shndërrojmë në shpërblim të përhershëm.

E përfundojmë hutben e kësaj të premteje me këtë ajet të Allahut të Madhëruar:
“Faleni namazin dhe jepni zekatin. Çfarëdo të mire që përgatisni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu. Vërtet, Allahu sheh gjithçka që bëni.”⁵


¹ El-Bekare, 2/276.
² Edh-Dharijat, 51/19.
³ Tirmidhi, Xhuma, 79.
⁴ Buhari, Zekat, 70.
⁵ El-Bekare, 2/110.

https://dinhizmetleri.diyanet.gov.tr/Documents/Zekat%20ve%20F%C4%B1t%C4%B1r%20Sadakas%C4%B1.pdf
Scroll to Top