edukimi_në_dhembshuri.jpg

ATMOSFERA E RAMAZANIT

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ  

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ  

:وَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ 

أَتَاكُمْ رَمَضَانُ شَهْرٌ مُبَارَكٌ، فَرَضَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عَلَيْكُمْ صِيَامَهُ، تُفْتَحُ فِيهِ أَبْوَابُ السَّمَاءِ، وَتُغْلَقُ فِيهِ أَبْوَابُ الْجَحِيم 

ATMOSFERA E RAMAZANIT  

Muslimanë të nderuar! 

Muaji i bekuar i Ramazanit, muaji i mëshirës dhe faljes, ka ardhur tek ne. Këtë të enjte, do të përjetojmë ditën e parë të këtij muaji të begatë. 

Ramazani vjen tek ne së bashku me Kur’anin Famëlartë. Allahu i Madhëruar thotë: 

“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe argument i qartë i rrugës së drejtë dhe dallues i së vërtetës nga e pavërteta.”¹ 

Vërtet, Kur’ani Famëlartë, udhërrëfyesi i jetës sonë, ndriçon rrugën tonë. Ai është shërim për zemrat tona dhe ilaç për plagët tona shpirtërore. Kur’ani na nderon, na mbron nga e keqja, na zbukuron me moralin e tij dhe na udhëheq drejt Xhenetit me ndërmjetësimin e tij. 

Besimtarë të dashur! 

Ramazani i bekuar vjen tek ne me agjërimin. Agjërimi sjell shëndet për trupin, qetësi për shpirtin dhe paqe për familjen. Ai na disiplinon, na pastron nga gjynahet dhe na afron më pranë kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Agjërimi e pastron zemrën nga njollat e gjynaheve dhe na udhëheq drejt devotshmërisë. 

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: 

“O besimtarë! Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç ishte obligim për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”² 

Muslimanë të nderuar! 

Ramazani vjen tek ne me mëshirë, bashkim dhe vëllazëri. Ai na kujton rëndësinë e solidaritetit, ndihmës dhe përkrahjes ndaj njëri-tjetrit. Ramazani na bashkon si një umet, me të varfrit dhe të pasurit, me jetimët dhe nevojtarët, me të rinjtë dhe të moshuarit. 

Ai na afron më shumë me familjarët tanë, fqinjët tanë dhe vëllezërit dhe motrat tona në nevojë. Ai forcon dashurinë, respektin dhe miqësinë mes nesh. 

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: 

“Mos e ndërprisni marrëdhënien me njëri-tjetrin, mos u largoni nga njëri-tjetri, mos e urreni dhe mos e keni zili njëri-tjetrin. O robër të Allahut, bëhuni vëllezër!”³ 

Besimtarë fisnikë! 

Ramazani vjen tek ne me begati të shumta. Netët tona ndriçohen me syfyr dhe me namazin e natës, ku falen gjynahet. Ditët tona zbukurohen me leximin e Kur’anit Famëlartë, i cili sjell qetësi në zemrat tona. Shtëpitë tona gjallërohen me sofrat e iftarit, të cilat forcojnë dashurinë dhe afërsinë mes nesh. Xhamitë tona mbushen me besimtarë që falin namazin e teravisë me përkushtim dhe gëzim. 

Sadakaja, fitri dhe zekati, që i japim nga fitimet tona hallall, e forcojnë vëllazërinë dhe solidaritetin tonë. 

Muslimanë fisnikë! 

Ashtu si muajt Rexheb dhe Shaban, përmes netëve të bekuara, na përgatitën për Ramazanin, le të përgatitim edhe ne zemrat tona, familjet tona dhe jetën tonë për këtë muaj të begatë. Le të hapim dyert e mirësisë, le t’i afrohemi njëri-tjetrit dhe ta zbatojmë Kur’anin Famëlartë në jetën tonë të përditshme. 

Le ta jetojmë Ramazanin me vetëdije, sepse fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri i Xhehenemit. 

Në këtë rast, ju urojmë ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit dhe e përfundojmë hutben tonë me fjalët e të Dërguarit të Allahut ﷺ: 

“Ju ka ardhur Ramazani, një muaj i bekuar. Allahu jua ka bërë obligim agjërimin në të. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit.”⁴ 

¹ El-Bekare, 2:185 

² El-Bekare, 2:183 

³ Tirmidhi, Birr ue Sile, 24 

⁴ Nesai, Sijam, 5 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Fetare 

https://dinhizmetleri.diyanet.gov.tr/Documents/The%20Climate%20of%20Ramadan.pdf

Scroll to Top