Data: 02.01.2026
وَمَن يُؤْمِن بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ ۚ وَاللَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ…
وَقَالَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى الله عَلَيْهِ وَسَلَّمْ
لَأَنْ يَهْدِيَ الله عَزَّ وَجَلَّ عَلَى يَدَيْكَ رَجُلًا خَيْرُ لَكَ مِمَّا طَلَعَتْ عَلَيْهِ الشَّمْسُ وَغَرَبَتْ.
GJITHÇKA FLET PËR ALLAHUN
Musliman të nderuar!
Njeriu që e vështron botën përreth me një shikim të thellë dhe meditues e kupton ekzistencën e një Krijuesi që e sjell gjithçka nga hiçi në ekzistencë, i jep formë dhe e drejton atë. Lëvizja e përkryer e planetëve në orbitat e tyre, dielli që e ndriçon tokën, si dhe hëna dhe yjet që e zbukurojnë natën si fenerë, na thërrasin sikur të thoshin: “Mos e harro Zotin tënd!” Bota jonë, e stolisur me urtësi në çdo cep, na fton te Allahu Një dhe i Vetëm. Kur’ani Famëlartë na fton në meditim me pyetjet:
“A nuk e shikojnë ata qiellin se si është ngritur lart; malet se si janë vendosur fort; dhe tokën se si është shtrirë?”¹
Besimtarë të dashur!
Një nga shkaqet kryesore që e çojnë njeriun drejt pakënaqësisë është mungesa e besimit. Në të vërtetë, mungesa e besimit e bën jetën pa kuptim. Ajo e izolon individin dhe çon në humbjen e ndjenjës së përgjegjësisë.
Sa i madh është ai thesar, o Allah, që quhet besim!
Sa e rëndë është barra në kraharor – zemra pa besim!
Të besosh në ekzistencën e Krijuesit dhe ta dish se Ai është gjithmonë pranë teje, i sjell zemrës njerëzore qetësi dhe ndjenjë sigurie. Kjo e shpëton njeriun nga errësira e pakuptimësisë. Kjo e vërtetë përmendet në ajetin fisnik:
“…Dhe kush beson në Allahun, Ai do t’ua udhëzojë zemrat ˹në kohë vështirësish˺. Allahu ka dijeni të përsosur për çdo gjë.”²
Musliman të respektuar!
Nuk mund t’u gjejmë përgjigje pyetjeve të jetës duke e mohuar Krijuesin e Lartësuar. Pa shpalljen hyjnore, nuk mund ta dimë se nga vijmë, ku po shkojmë dhe pse e për çfarë qëllimi jemi krijuar. Në një botë ku kufijtë e bindjes dhe rebelimit nuk përcaktohen nga Allahu i Madhëruar, nuk mund ta kuptojmë plotësisht se çfarë është vërtet e mirë dhe çfarë është vërtet e keqe.
Besimtarë të nderuar!
Allahu i Madhëruar nuk është shkaktari i asnjë të keqeje që ndodh në tokë. Ai është mëshirëplotë ndaj robërve të Tij. Allahu i Madhëruar dëshiron të mirën për njerëzimin. Ai kurrë nuk pajtohet me kryerjen e së keqes apo me rënien në padrejtësi. Megjithatë, ata që ndjekin nefsin e tyre dhe i dorëzohen dëshirave dhe tekave kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shkaku i së keqes dhe i shtypjes. Në Kur’anin Famëlartë kjo e vërtetë theksohet në ajetin:
“Vërtet, Allahu nuk u bën padrejtësi njerëzve aspak, por njerëzit i bëjnë padrejtësi vetvetes.”³
Musliman të dashur!
Zoti ynë i Lartësuar u ka dhuruar robërve të Tij një mirësi të madhe duke dërguar profetë, burimi i të cilëve është shpallja hyjnore, si përgëzues dhe paralajmërues. Ai ka dashur paqen dhe lumturinë e njerëzimit duke shpallur libra hyjnorë, secili prej tyre një dritë udhëzuese, që dallon të vërtetën nga e pavërteta dhe sqaron çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Ai e përmbylli këtë zinxhir hyjnor me hallkën e tij të fundit: Profetin Muhamed Mustafa (s.a.v.s.) dhe Kur’anin Famëlartë të shpallur atij. Duke krijuar banesën e përhershme të Ahiretit, Ai ka dashur që çdo njeri i drejtë të marrë hakun e vet dhe që besimtari të dallohet nga jobesimtari.
Vëllezër dhe motra të dashura!
Sot, përgjegjësia jonë është t’ua hapim botën e zemrave tona atyre që po mbyten në vorbullën e mosbesimit dhe t’ua përcjellim mesazhet hyjnore. Është të përpiqemi të shuajmë etjen e rinisë sonë për besim përmes burimit fisnik të sunetit të Profetit tonë (s.a.v.s.). Është ta gdhendim dashurinë për Allahun në zemrat e fëmijëve tanë me fjalë të buta dhe me fytyrë të buzëqeshur. Është ta marrim si udhërrëfyes këshillën e Profetit tonë të dashur (s.a.v.s.):
“Nëse Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm e udhëzon një njeri të vetëm përmes teje, kjo është më e mirë për ty se gjithçka mbi të cilën lind dhe perëndon dielli.”⁴
¹ Gashije, 88/18–20.
² Tegabun, 64/11.
³ Junus, 10/44.
⁴ Taberani, el-Mu‘xhem el-Kebir, I, 315.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Fetare