Hutbe

PENDIMI DHE KTHIMI TEK ALLAHU

Pendimi tek Allahu është një nga veprat më të mëdha në Islam dhe një derë e hapur e mëshirës së Tij për çdo besimtar. Kjo hutbe na kujton rëndësinë e pendimit, faljes dhe kthimit të sinqertë tek Allahu.

Data: 30.01.2026 

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ 

وَالَّذِينَ إِذَا فَعَلُوا فَاحِشَةً أَوْ ظَلَمُوا أَنفُسَهُمْ ذَكَرُوا اللَّهَ فَاسْتَغْفَرُوا لِذُنُوبِهِمْ وَمَن يَغْفِرُ الذُّنُوبَ إِلَّا اللَّهُ وَلَمْ يُصِرُّوا عَلَىٰ مَا فَعَلُوا وَهُمْ يَعْلَمُونَ 

:وَقَالَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى الله عَلَيْهِ وَسَلَّمَ 

كُلُّ بَنِى أَدَمَ خَطَّاءُ. وَخَيْرُ الْخَطَّائِينَ التَّوَّابُونَ

PENDIMI DHE KTHIMI TEK ALLAHU  

Muslimanë të nderuar! 

Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ vizitoi një të ri që ndodhej në shtratin e vdekjes dhe e pyeti: “Si ndihesh?” I riu u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Unë shpresoj në mëshirën e Zotit tim, por njëkohësisht kam frikë nga gjynahet e mia.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Këto dy ndjenja, shpresa dhe frika, nuk bashkohen në zemrën e një robi në një gjendje të tillë, veçse Allahu ia jep atë që shpreson dhe e mbron nga ajo që ka frikë.”¹ 

Besimtarë të dashur! 

Njeriu është krijesë e gabueshme; ai harron, gabon dhe bën gjynahe. Ndonjëherë, ai tregohet i pakujdesshëm në zbatimin e urdhrave të Zotit të tij dhe në shmangien nga ndalesat e Tij. Herë të tjera, ai bie në gjynah duke shkelur të drejtat e të tjerëve apo duke tradhtuar amanetin. Mirëpo, është shumë e rëndësishme që njeriu të mos i konsiderojë gjynahet e tij si të vogla, të mos mburret me haramin dhe të mos këmbëngulë në gabime dhe padrejtësi. 

Allahu i Madhëruar, duke përshkruar cilësitë e besimtarëve të devotshëm, thotë në Kur’anin Famëlartë: 

Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetës së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kushi i falë mëkatet përveç Allahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në ata që kanë punuar (në të keqen).² 

Muslimanë të nderuar! 

Koha kalon me shpejtësi dhe jeta jonë po shkurtohet dita-ditës. Me çdo ditë që kalon, ne afrohemi më shumë drejt jetës së ahiretit. Le të jemi të vetëdijshëm se fundi i kësaj jete të shkurtër do të jetë ose lumturi e përhershme, ose humbje e madhe. 

Fitimi më i madh për ne është të kryejmë vepra që e kënaqin Allahun e Madhëruar dhe të zbukurohemi me moralin fisnik të Profetit tonë ﷺ. Të përqafojmë devotshmërinë si parim të jetës sonë dhe të largohemi nga çdo formë e së keqes. Ndërsa humbja më e madhe është të vazhdojmë në gjynah duke thënë: “Allahu do të më falë gjithsesi,” ose “Do të pendohem më vonë,” dhe kështu të neglizhojmë pendimin. 

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: 

“Të gjithë bijtë e Ademit gabojnë, por më të mirët prej atyre që gabojnë janë ata që pendohen.”³ 

Besimtarë fisnikë! 

Në natën që lidh ditën e hënë me të martën, do të përjetojmë Natën e Beratit, e cila na përgëzon me afrimin e muajit të bekuar të Ramazanit. Le ta shfrytëzojmë këtë natë të begatë si një mundësi për një fillim të ri në jetën tonë. Le të reflektojmë mbi gabimet tona dhe të pendohemi sinqerisht për gjynahet që kemi bërë. 

Le të largohemi nga çdo haram që e shqetëson shpirtin tonë, e trishton familjen tonë dhe e privon jetën dhe punën tonë nga bereqeti. Kur të biem në gjynah për shkak të dobësisë sonë, le të strehohemi në faljen dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar. 

Le të mos harrojmë se gjynahu është si një njollë që lë gjurmë në zemër. Nëse kjo njollë nuk pastrohet me pendim, ajo rritet dhe e errëson zemrën. Kur zemra errësohet, mendja nuk e kupton më të vërtetën, sytë nuk e shohin më të drejtën, veshët nuk e dëgjojnë më të mirën dhe gjuha nuk e thotë më të vërtetën. 

Në këtë rast, ju urojmë Natën e Beratit dhe e përfundojmë hutben tonë me këtë lajm të gëzuar nga Allahu i Madhëruar: 

Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!⁴ 

¹ Ibn Maxhe, Zuhd, 31 

² Ali Imran, 3:135 

³ Ibn Maxhe, Zuhd, 30 

⁴ Ez-Zumer, 39:53 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Fetare 

https://dinhizmetleri.diyanet.gov.tr/Documents/Turn%C4%B1ng%20To%20Repentance.pdf

Related by topic

Islamic Library — browse and read online

Scroll to Top