Zotimet dhe Betimet

Çfarë është zotimi, cila është pozita i tij në fe?

Zotimi, që në arabisht shprehet me fjalën nezr, në terminologjinë e fikhut do të thotë: “që një person, edhe pse nuk është i detyruar fetarisht, ia bën vetes detyrim një adhurim nga lloji i farzit ose vaxhibit”. Me fjalë të tjera, zotimi është “që personi, pa qenë i obliguar, t’i premtojë Allahut të Madhëruar se do të kryejë një adhurim nga lloji i farzit ose vaxhibit dhe ta bëjë atë borxh për veten e tij”. (Mevsılî, el-Ihtijâr, 4/76-77) 

Në Kur’anin Famëlartë, urdhërohet mbajtja e fjalës së dhënë, respektimi i marrëveshjeve dhe kontratave (Maide: 1; Isra: 34), si dhe përmbushja e premtimeve të dhëna Allahut (Nahl: 91), dhe kërkohet që zotimet e bëra të përmbushen. Po ashtu, të vepruarit në përputhje me zotimin e dhënë përmendet ndër cilësitë e robërve të mirë. (Insan: 7) Në hadithe, gjithashtu, Pejgamberi (s.a.w.s.) ka urdhëruar që zotimet që përbëjnë bindje ndaj Allahut të përmbushen, ndërsa ka ndaluar zotimet që përfshijnë mosbindje ose mëkat ndaj Allahut dhe ka kërkuar që, nëse janë bërë, të mos zbatohen. (Buhârî, Eymân, 28, 31 [6696, 6700]; Muslim, Nezir, 8 [1641]) Prandaj, detyrimi për përmbushjen e zotimit është i vërtetuar me Kur’an, Sunnet, Ixhma dhe Kijas. (Kâsânî, Bedâ’i, 5/90) 

Dijetarët janë të mendimit se nuk ka ndonjë pengesë që zotimi të bëhet vetëm për hir të fitimit të kënaqësisë së Allahut dhe si shprehje falënderimi ndaj Tij, pa synuar ndonjë përfitim material. Ndërsa, të bërit zotim me qëllime materiale, duke e lidhur atë me kushte të caktuara, me shpresën se do të ndryshojë caktimi i Allahut, nuk është parë si veprim i drejtë. Në të vërtetë, nga hadithet e Pejgamberit (s.a.s.): “Zotimi nuk e kthen mbrapsht asnjë ngjarje (të caktuar nga Allahu); vetëm se ia pakëson pasurinë kopracit” (Buhârî, Eymân, 26 [6693]; Muslim, Nezir, 2 [1639]) dhe “Zotimi nuk sjell as përpara e as nuk e shtyn mbrapa (kaderin)…” (Buhârî, Eymân, 26 [6692]; Muslim, Nezir, 3 [1639]), kuptohet se ai nuk e ka pëlqyer zotimin e lidhur me kushte. 

Disa dijetarë, duke u mbështetur në këto hadithe, kanë qenë të mendimit se zotimi, sidoqoftë të bëhet, është mekruh. (Nevevî, el-Mecmû‘, 8/450; Ibn Kudâme, el-Muğnî, 10/3) Megjithatë, për sa kohë që nuk përmban mosbindje dhe mëkat ndaj Allahut, pavarësisht se në cilën kategori hyn, nëse është bërë zotim, përmbushja e tij konsiderohet fetarisht vaxhib. (Kâsânî, Bedâ’i, 5/82) 

Këshilli i Lartë për Çështjet Fetare 
12.07.2017 

https://fetva.diyanet.gov.tr/soru/adak-nedir-dindeki-yeri-nedir/0193c42d-8281-79fa-5908-65bb3f872c6b

Related by topic

Islamic Library — browse and read online

Scroll to Top