Kapitulli 1

Hyrje në Usul et-Tefsir · Shejhul Islam Ibn Tejmije · Chapter 2 of 7

Profeti ﷺ ua shpjegoi shokëve të tij domethëniet e Kur’anit

Është detyrim të dihet se Profeti ﷺ ua shpjegoi shokëve të tij domethëniet e Kur’anit ashtu siç ua mësoi edhe fjalët e tij. Fjala e Allahut i përfshin të dyja:“…që t’u sqarosh njerëzve atë që u është zbritur.” (Nahl: 44)

Ebu Abdur-Rahman es-Sulemi ka thënë:“Na është transmetuar nga ata që na mësonin leximin e Kur’anit, si Uthman ibn Affani, ‘Abdullah ibn Mes‘udi dhe të tjerë përveç tyre, se kur mësonin nga Profeti ﷺ, nuk kalonin përtej dhjetë ajeteve derisa të mësonin çfarë përmbanin ato prej dijes dhe veprimit. Ata thoshin: ‘Kështu e mësuam Kur’anin, dijen dhe veprimin njëkohësisht.’ Për këtë arsye, atyre u duhej kohë për të mësuar përmendësh edhe një sure të vetme.”

Enesi r.a. ka thënë:“Nëse ndonjëri prej nesh arrinte t’i mësonte përmendësh suren Bekare dhe Ali-Imran, ai fitonte respekt të madh në sytë tanë.”

Ibn Umeri kaloi disa vite – thuhet tetë vite – duke mësuar përmendësh suren Bekare. Kjo transmetohet nga Maliku. E gjithë kjo është si pasojë e fjalës së Allahut:“Librin që ta kemi shpallur është i bekuar që ata të mendojnë për argumentet e tij kurse ata që kanë mend, të nxjerrin mësim.” (Sad: 29)

Dhe fjalët e Tij:“A nuk e meditojnë ata Kur’anin?” (Muhammed:24)Dhe Ai thotë:“A nuk e kanë medituar fjalën?” (Mu’minun: 68) Prandaj, nuk është e mundur të meditohet mbi Kur’anin pa u kuptuar më parë domethënia e tij. Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu: “Vërtet, Ne e kemi zbritur atë Kur’an në gjuhën arabe, që ju t’a kuptoni.” (Jusuf: 2) Dhe kuptimi i fjalës varet nga njohja e domethënies së saj.

Dihet mirë se qëllimi i të folurit nuk është vetëm kuptimi i fjalëve që shqiptohen, por edhe domethëniet që synohen përmes tyre. Nëse kjo vlen për fjalën e zakonshme, atëherë Kur’ani është edhe më i denjë për këtë.

Po ashtu, është zakon i njerëzve që, kur studiojnë në një fushë të caktuar si mjekësia apo matematika, të përpiqen ta kuptojnë atë. Kjo vlen edhe më shumë për fjalën e Allahut, e cila është burimi i mbrojtjes, suksesit dhe lumturisë së tyre, si dhe shtylla kryesore e çështjeve të tyre fetare dhe çështjeve të dynjasë.

Për këtë arsye, sahabët rrallëherë kishin mospajtime rreth tefsirit të Kur’anit. Këto mospajtime u shfaqën më shumë në kohën e nxënësve të tyre (tabi‘in), por ishin ende shumë më të pakta krahasuar me brezat e mëvonshëm. Me pak fjalë, sa më fisnik të ishte brezi, aq më e thellë ishte dija e tyre, kuptimi dhe uniteti i tyre.

Nga mesi i tabi‘inëve kishte edhe të tillë që e mësuan të gjithë Kur’anin nga sahabët. Siç ka thënë Muxhahidi:“E lexova të gjithë Kur’anin para Ibn ‘Abbasit, duke e ndalur atë në fund të çdo ajeti dhe duke e pyetur rreth tij.” Për këtë arsye, eth-Theuri thoshte: “Nëse tefsiri i Muxhahidit të arrin, atëherë ai të mjafton.” Për këtë shkak, dijetarë si Shafiu, Buhariu dhe Imami Ahmedi mbështeteshin shumë në transmetimet e tij, më tepër se në transmetimet e të tjerëve.Qëllimi këtu është se tabi‘inët e morën tefsirin e Kur’anit nga sahabët, ashtu siç e morën prej tyre edhe Sunetin profetik. Po ashtu, ata komentonin Kur’anin duke përdorur përfundimet e tyre, të bazuara në argumente të tjera, ashtu siç vepronin edhe me hadithet e Profetit ﷺ.

Scroll to Top