Hyrje

Hyrje në Usul et-Tefsir · Shejhul Islam Ibn Tejmije · Chapter 1 of 7

Shejhul Islam Ibn Tejmije

مقدمة في أصول التفسير

Hyrje në Usul et-Tefsir

Misr.al

2026

Hyrje në Usul et-Tefsir

nga

Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728 H)

I gjithë falënderimi i takon Allahut. Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje. Te Allahu kërkojmë strehim nga e keqja e vetvetes sonë dhe nga e keqja e veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta humbasë; dhe atë që Allahu e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë.Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, pa shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Më pas:Është kërkuar nga një numër vëllezërish që të hartoj një hyrje në tefsirin e Kur’anit, e cila të përfshijë parime gjithëpërfshirëse që do ta ndihmojnë njeriun në kuptimin e domethënieve të tij, si dhe në dallimin mes së vërtetës dhe pavërtetës, duke treguar në të gjitha këto kriterin që duhet përdorur. Kjo sepse librat e tefsirit të Kur’anit përmbajnë si të mirën ashtu edhe të keqen, pavërtetësi të dukshme dhe të vërtetë të qartë. Dija është ose një tekst i marrë nga një burim i pagabueshëm, ose një fjalë e mbështetur me argument të qartë. Ndërsa për çdo gjë tjetër, ajo ose është e pavërtetë dhe e refuzuar, ose është e dyshimtë, prandaj nuk mund të përcaktohet nëse është e vërtetë apo e pavërtetë.

Ummeti musliman ka nevojë të madhe për ta kuptuar Kur’anin, i cili është litari i fortë i Allahut, përkujtimi i urtë dhe rruga e drejtë. Dëshirat e liga nuk mund ta prishin atë. Gjuhët e këqija nuk mund ta shtrembërojnë atë. Studimi i vazhdueshëm nuk bën që ai të zbehet dhe mrekullitë e tij nuk do të pushojnë kurrë. Dijetarët nuk do të arrijnë kurrë thellësitë e tij. Kushdo që e shqipton atë, ka thënë të vërtetën. Kushdo që vepron sipas tij, do të shpërblehet. Kushdo që gjykon sipas tij, ka qenë i drejtë. Kushdo që thërret drejt tij, është udhëzuar në rrugën e drejtë. E kushdo që me mendjemadhësi largohet prej tij, do të shkatërrohet. Dhe kushdo që kërkon udhëzim diku tjetër përveç tij, do të humbasë.

Allahu i Lartësuar thotë:“E nëse nga Unë ju vjen udhëzim, atëherë kushdo që ndjek udhëzimin Tim nuk do të humbasë [në këtë botë] dhe nuk do të jetë i mjerë [në botën tjetër]. Ndërsa kushdo që largohet nga përkujtimi Im, ai do të ketë një jetë të ngushtë dhe Ne do ta ringjallim atë Ditën e Kijametit të verbër.” Ai do të thotë: “Zoti im, pse më ringjalle të verbër, ndërkohë që më parë shihja?” [Allahu] do të thotë: “Kështu, argumentet Tona të erdhën ty dhe ti i harrove; dhe kështu sot do të harrohesh.”(TaHa:123–126)

Ai poashtu thotë:

O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Jonë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk jep sqarime. Juve ju erdhi erdhi nga All-llahu dritë, dhe libër i qartë. All-llahu e vë me atë (me Kur’anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë. (Ma’ide: 15-16)

Dhe Ai thotë:“Elif Lam Ra. Ky është një Libër që Ne ta shpallëm ty [o Muhamed], që t’i nxjerrësh njerëzit nga errësirat në dritë, me lejen e Zotit të tyre, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Falënderuarit; Allahut, të Cilit i përket gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në tokë.”(Ibrahim:1–2)

Allahu i Lartësuar thotë:“Dhe kështu Ne ta shpallëm ty një frymëzim nga urdhri Ynë. Ti nuk e dije se ç’është Libri dhe as se ç’është besimi, por Ne e bëmë atë një dritë me të cilën udhëzojmë kë të duam prej robërve Tanë. Dhe vërtet, ti [o Muhamed] udhëzon në rrugën e drejtë; rrugën e Allahut, të Cilit i përket gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në tokë. Pa dyshim, tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” (Shura: 52–53)

Këtë hyrje e kam shkruar dhe e kam bërë të shkurtër, të mbushur me dobi, me bekimin e Allahut. Vetëm Allahu udhëzon në rrugën e drejtësisë.

Scroll to Top