DY DËSHMITË (SHEHADETI)
Tashmë është bërë e qartë se, pavarësisht përmbledhtësisë së saj, Dy Dëshmitë (shehadeti)përfshijnë gjithçka që personi juridikisht përgjegjës është i detyruar të njohë nga parimet e besimit, në lidhje me Realitetin e Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarve të Tij (paqja dhe bekimi qofshin mbi ta). Për shkak të përmbledhtësisë dhe gjithëpërfshirjes së saj, Sheriati e ka bërë këtë formulë shprehjen më përfaqësuese të asaj që zemra përmban në lidhje me Islamin. Pa të, besimi i njeriut nuk pranohet.
Është detyrë për çdo individ me mendje të shëndoshë që ta përmendë atë shpesh, duke qenë i vetëdijshëm për të gjitha domethëniet akaidike që ajo përmban, derisa Dy Dëshmitë (shehadeti), bashkë me kuptimet e tyre, të përzihen me mishin dhe gjakun e tij.Të tillët do të gjejnë se ajo përmban sekrete dhe mrekulli të pafundme, me lejen e Allahut të Lartësuar.
Suksesi vjen vetëm nga Allahu; nuk ka Zot dhe as të adhuruar me të drejtë përveç Tij.
I lutemi Atij, të Lartësuarit dhe të Lirësuarit nga çdo mangësi, që të na bëjë ne dhe miqtë tanë të dashur prej atyre që e shqiptojnë Dy Dëshmitë (shehadetin) me ndërgjegjësim të plotë dhe realizim të brendshëm.
Allahu dërgoftë paqe dhe bekime mbi zotërinë tonë Muhamedin, në çdo çast që ai përmendet nga ata që e kujtojnë, dhe në çdo çast që lihet pas dore nga ata që janë të pakujdesshëm ndaj tij. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë shokët e të Dërguarit të Allahut dhe me ata që i pasojnë ata me përkushtim dhe mirësi deri në Ditën e Gjykimit. Paqja qoftë mbi të gjithë të Dërguarit. Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
U përfundua, me mirësinë e Allahut, më 28 Rexheb 1447 h.17 Janar 2026, Lampertheim, Gjermani.
Përkthyes: Misr.al