Rregullat themelore që lidhen me ushqyerjen me gji të fëmijës janë përcaktuar në Kur’an dhe Sunet. (Bekare: 233; Nisa: 23; Talak: 6; Buhari, Shehadat, 7 [2645]; Nikah, 27 [5110]; Muslim, Rada‘, 9 [1445], 12 [1447])
Në këtë kuadër, dijetarët islamë janë njëzëri dakord se farefisnia përmes qumështit (akraba nga qumështi) krijon mahrem mes disa të afërmve të caktuar, por ata kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me disa hollësi juridike.
Sipas shumicës së juristëve islamë, një fëmijë që brenda dy viteve të para ushqehet me qumësht nga një grua tjetër përveç nënës së tij, konsiderohet fëmijë qumështi i asaj gruaje.
(Kâsânî, Bedâʾi, 4/7; Ibn Kudâme, el-Muğnî, 8/178; Şirbînî, Muğni’l-muhtâc, 5/127-128)
Një fëmijë i tillë, për nga aspekti i mahremit, trajtohet si fëmija biologjik i asaj gruaje.
Sipas Hanefive dhe Malikive, qumështi që fëmija thith gjatë moshës së ushqyerjes me gji, qoftë pak apo shumë, krijon farefisni përmes qumështit.
(Serahsî, el-Mebsût, 5/134; Kâsânî, Bedâʾi, 4/7; Sahnûn, el-Müdevvene, 2/295; Nemerî, el-Kâfî, 2/539-540)
Ndërsa sipas Shafiive dhe Hanbelive, që të krijohet farefisnia e qumështit, kusht është që foshnja, gjatë periudhës së ushqyerjes me gji, të ushqehet pesë herë të ndara, duke u ngopur dhe duke e lënë vetë gjirin.
(Şirbînî, Muğni’l-muhtâc, 5/130-131; Ibn Kudâme, el-Muğnî, 8/171, 173)
Për krijimin e farefisnisë së qumështit nuk ka dallim nëse qumështi i jepet fëmijës drejtpërdrejt nga gjiri apo përmes biberonit apo mjeteve të ngjashme.
(Kâsânî, Bedâʾi, 4/9; Haraşî, Şerhu Muhtasar, 4/177; Şirbînî, Muğni’l-muhtâc, 5/136; Ibn Kudâme, el-Muğnî, 8/173)
Në këtë kontekst, nëse qumështet e grave të ndryshme përzihen dhe u jepen foshnjave përmes biberonit apo mjeteve të ngjashme, atëherë krijohet farefisni qumështi mes grave që kanë dhënë qumësht dhe fëmijëve që e kanë pirë atë.
(Mevsılî, el-İhtiyâr, 3/119-120; el-Fetâva’l-Hindiyye, 1/344-345; Şirbînî, Muğni’l-Muhtâc, 5/125-126; İlîş, Minehu’l-celîl, 4/374)
Nuk ka asnjë pengesë fetare që foshnjat të ushqehen me gji nga gra të tjera përveç nënës së tyre, apo që qumështi të ruhet sipas kushteve dhe t’u jepet më vonë foshnjave.
Megjithatë, për të shmangur çdo ngatërrim në farefisninë e qumështit dhe për të mos çuar në martesa të ndaluara fetarisht, është e domosdoshme që të merren të gjitha masat e nevojshme dhe këto masa të zbatohen me kujdes të madh.
Për këtë arsye, në dhënien e qumështit foshnjave të tjera, qoftë përmes gjidhënies apo ruajtjes së qumështit, duhet t’u kushtohet vëmendje këtyre çështjeve:
1. Parimisht, nënat nuk duhet të shmangen nga gjidhënia e fëmijëve të tyre, përveç rasteve kur ekziston një arsye e ligjshme. (Bekare: 233)
Foshnjave që kanë mundësi të ushqehen mjaftueshëm me qumështin e nënës së tyre nuk duhet t’u jepet qumësht nga gra të tjera. (shih: Ibn Nuxhejm, el-Bahr, 3/238)
2. Lidhja e qumështit mes gruas që jep qumësht dhe foshnjës që e merr atë duhet të regjistrohet me shkrim, duke shënuar qartë të dhënat identifikuese të palëve.
Gruas gjidhënëse duhet t’i mbahet shënim se kë ka ushqyer me gji, ndërsa fëmijëve (ose kujdestarëve të tyre) duhet t’u jepet informacion/dokument se nga kush kanë pirë qumësht dhe cilët të tjerë kanë pirë qumësht nga e njëjta grua. (shih: Mevsılî, İhtiyâr, 3/120; Ibn Abidin, Reddü’l-muhtâr, 3/212; Ibn Nuxhejm, el-Bahr, 3/238)
3. Një fëmijë duhet të ushqehet vetëm nga një nënë qumështi, dhe përveç rasteve të domosdoshme, duhet treguar kujdes që numri i nënave qumështi të mos shtohet.
4. Për të mos u zgjeruar rrethi i farefisnisë së qumështit që pengon martesën, për të shmangur çdo ngatërrim dhe për ta bërë çështjen të qartë, qumështet e më shumë se një gruaje nuk duhet të përzihen.
5. Nëse, në rastin e dhënies së fëmijës te nëna qumështi, kërkohet një pagesë për gjidhënie, kjo pagesë paguhet nga babai. (Bekare: 233; Talak: 6)
Megjithatë, nuk është e lejuar që qumështi i një gruaje të shtrydhet në biberon apo enë të ngjashme dhe të shitet. (Merğînânî, el-Hidâje, 3/46; Ibn Nuxhejm, el-Bahr, 6/87)
Këshilli i Lartë i Çështjeve Fetare
05.06.2024