
Betimi është forcimi i fjalës së një personi për të bërë ose për të mos bërë diçka, duke përmendur një nga emrat ose cilësitë e Allahut. Shprehje si “Vallahi, Billahi (betohem në Allahun se…)” janë të këtij lloji.
Betimet e bëra me emrat e Allahut janë fetarisht të vlefshme. Edhe shprehje si “Betohem”, të përdorura pa përmendur drejtpërdrejt emrat e Allahut, meqë nënkuptojnë “betohem në emër të Allahut”, kanë të njëjtin gjykim.
Betimet e bëra me cilësitë e Allahut pranohen si të vlefshme nëse janë bërë zakon i përgjithshëm. Betimet mbi Kur’anin, sipas zakonit, hyjnë gjithashtu në kuadrin e betimit me cilësinë e Fjalës së Allahut. Për këtë arsye, ashtu si në betimet me emrat dhe cilësitë e Allahut, edhe ai që betohet mbi Kur’an është i detyruar t’i qëndrojë besnik betimit të tij dhe, nëse e shkel atë, duhet të japë kefaret.
Betimet e bëra mbi krijesa ose gjëra të tjera përveç Allahut nuk konsiderohen fetarisht betime dhe nuk kërkojnë kefaret. Në këtë çështje nuk merret parasysh zakoni. Prandaj, betimi i bërë mbi babanë ose fëmijën e dikujt është i pavlefshëm. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka ndaluar betimin në dikë tjetër përveç Allahut dhe ka thënë: “Kush do të betohet, le të betohet në emër të Allahut, ose le të heshtë (të mos betohet).” Shprehje të përdorura gjerësisht në shoqëri si: “Nëse e bëj këtë punë, le ta shoh vdekjen e fëmijëve të mi”, “Zoti ma marrtë jetën”, “E pafsha vdekjen”, janë fjali që përmbajnë mallkim dhe nuk konsiderohen betim, prandaj nuk kërkojnë kefaret. Për më tepër, meqë mallkimi nuk shihet si i pëlqyeshëm në fenë tonë, duhet shmangur përdorimi i këtyre shprehjeve.
Këshilli i Lartë për Çështjet Fetare
20.12.2023