Kujt i takon e drejta e kujdesit ndaj fëmijëve pas divorcit? 

Meqenëse që nga lindja ushqimi, përkujdesja dhe pastërtia e fëmijës, deri në një moshë të caktuar, realizohen më së miri nga nëna, e drejta e kujdesit i është dhënë parësisht nënës. Këtë e kërkojnë edhe dhembshuria, mëshira dhe aftësitë e lindura natyrore që nëna i ka për këto çështje. 
(Ibn Hazm, el-Muhallâ, 10/143; Merginanî, el-Hidâje, 2/283; Ibn Kudâme, el-Mugnî, 8/237; Shirbinî, Muğni’l-muhtâc, 5/192–193) 

Një grua erdhi te Profeti i Allahut ﷺ dhe tha: 
“O i Dërguari i Allahut! Ky është djali im. Barku im ishte strehë për të, gjoksi im burim ushqimi dhe krahu im djep i ngrohtë. Tani babai i tij më ka shkurorëzuar dhe dëshiron ta marrë fëmijën prej meje.” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Përderisa nuk martohesh me dikë tjetër, ti ke përparësi mbi të në lidhje me të.” 
(Ebu Davud, Talak, 35 [2276]) 

Edhe Ebu Bekri (r.a.) i tha një babai që ishte ndarë nga bashkëshortja: “Përkëdhelja, përqafimi dhe aroma e nënës janë më të dobishme për fëmijën sesa qëndrimi i tij pranë teje. Më pas, kur fëmija të rritet, ai bën vetë zgjedhjen.” 
(Abdurrezzak, el-Musannef, 7/154 [12601]) 

Personi të cilit i ngarkohet përgjegjësia për kujdesin dhe edukimin e fëmijës duhet të jetë i arsyeshëm, i rritur, i aftë fizikisht për këtë detyrë dhe i besueshëm në mbrojtjen e fëmijës nga aspekti i jetës, shëndetit dhe moralit. 

Krahas këtyre cilësive të përbashkëta që kërkohen si te gruaja ashtu edhe te burri, ekzistojnë edhe disa kushte të veçanta. Ndër këto janë: 
– burri duhet të jetë musliman dhe, nëse fëmija që do të kujdeset është vajzë, ai duhet të jetë mahrem për të; 
– gruaja nuk duhet të jetë e martuar me një person të huaj për fëmijën, pra jo-mahrem. 
(Sahnun, el-Müdevvene, 2/258 e vij.; Shirbinî, Muğni’l-muhtâc, 5/192–193; Shevkanî, Neylü’l-evtâr, 6/388–393; Bilmen, Kâmus, 2/432) 

Kohëzgjatja e kujdesit dhe edukimit të fëmijës është në përpjesëtim me nevojën e fëmijës për kujdes. Juristët hanefij e përcaktojnë këtë periudhë deri në moshën kur fëmija është në gjendje të hajë dhe të vishet vetë; ndërsa juristët shafi‘ij e lidhin me arritjen e moshës së dallimit
(Ibn Abidin, Reddü’l-muhtâr, 3/566; Shirbinî, Muğni’l-muhtâc, 5/198) 

Sipas kësaj, kjo periudhë zakonisht përfundon: 
– te djemtë, rreth moshës 7–9 vjeç
– te vajzat, rreth moshës 9–11 vjeç

Sipas malikijve, kjo periudhë zgjat deri në moshën e pjekurisë për djemtë dhe deri në martesë për vajzat. 
(Sahnun, el-Müdevvene, 2/258–259) 

Kur kjo periudhë përfundon, sipas shumicës së juristëve, përgjegjësia e kujdesit për fëmijën i kalon babait. Ndërsa shafi‘ijtë dhe hanbelijtë thonë se vendimin e merr vetë fëmija dhe ai qëndron pranë prindit që zgjedh. 
(Ibn Kudâme, el-Mugnî, 8/239; Shirbinî, Muğni’l-muhtâc, 5/198) 

Fakti që Profeti ﷺ i dha mundësinë zgjedhjeje një djali prindërit e të cilit ishin ndarë 
(Ebu Davud, Talak, 35 [2276–2277]; Tirmidhi, Ahkâm, 21 [1357]), si dhe fjala e Ebu Bekrit (r.a.) e përmendur më sipër, e mbështesin këtë mendim të fundit. 

Këshilli i Lartë i Çështjeve Fetare 
12.07.2017 

https://fetva.diyanet.gov.tr/soru/bosanmadan-sonra-cocuklarin-bakim-hakki-kime-aittir/0193c42d-90be-76e6-077f-59c1221fd49e
Scroll to Top